Adria Airways Logo Adria Airways

Rezervati natyror i gjelbër i Zelencit

Teksti: Tina Keber Fotografitë: Boris Pretnar

"Nuk di në Evropë të ketë diçka tjetër kaq të bukur" shkruante kimisti dhe shpikësi i njohur Sër Hamfri Dejvi në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Pas një vizite në këtë vend unik, unë do të shkruaja në gjithë sinqeritetin tim: "Nuk di në Evropë të ketë diçka tjetër kaq të gjelbër".

Kundrejt ujërave ngjyrë gurkali të liqenit të vogël, nuancat e shumta të së gjelbrës të zonës rrethuese rurale rrëzëllejnë edhe më fort, duke u ofruar ekskursionistëve një pamje qetësuese me fuqi që çlodh shpirtin. Nuk është surprizë atëherë që ky rezervat natyror pranë tre kufijve mban emrin Zelenci (që vjen nga mbiemri zelen që do të thotë e gjelbër).

adria airways zelenci 980x400 min

Në afërsi nuk ka bare apo restorante, por kjo është një prej sharmeve të këtij vendi. Ai ofron një mjedis që ju lejon, në fakt ju detyron, të fikni motorin e jetës së përditshme dhe qoftë vetëm për pak minuta, t'i dedikoheni natyrës dhe paqes që ajo ofron. Vende të tilla zakonisht gjenden me zor. Por ky për shembull, është shumë pranë. Vetëm 10 minuta ecje përgjatë shtegut nga rruga e Podkoren ju ndajnë nga platforma panoramike me kullën e vet prej druri në brigjet e liqenit, nga ku mund të shijoni pamjet e Jalovecit dhe majave të tjera të Alpeve Juliane. Në të njëjtën kohë ju ofron një pamje nga lart të vetë liqenit, që aktualisht është burimi i Sava Dolinka. Uji i burimit vazhdimisht gurgullon lart nga fundi i liqenit dhe shpërthen në sipërfaqe në formën e vullkaneve unike në miniaturë, një proces që mundësohet nga shkumësi poroz i liqenit. Ky shkumës i jep gjithashtu burimit edhe ngjyrën e vet karakteristike. Uji nga liqeni, i cili ka temperaturë konstante prej rreth 8°C gjatë gjithë vitit, derdhet në zonën përreth dhe krijon një moçal, duke e diversifikuar më tej kështu florën dhe faunën e zonës dhe duke siguruar një habitat për një numër speciesh kafshësh dhe bimësh të rrezikuara, si rezultat i të cilës zona sot mbrohet si rezervat natyror.

Zelenci, që ndodhet në komunën Kranjska Gora, është gjithashtu një pikënisje e shkëlqyer për një ecje drejt Luginës së Tamarit dhe Qendrës Nordike të Planicës, ku një zbritje në pistën gjigante është e garantuar që do t'jua ngrejë adrenalinën. Shtegu prej asfalti për biçikleta që shkon nga Mojstrana deri në Zelenci mban emrin e çiklistit ekstrem legjendar slloven Jure Robič. Mund të vazhdoni përgjatë tij përmes kufirit me italinë deri te liqenet e bukura të njohura si Laghi di Fusine në këmbët e malit Mangart ose deri në qytetin Tarvisio.